UEFA nis procedim disiplinor ndaj Barçës

UEFA ka njoftuar hapjen e procedurës disiplinore ndaj Barcelonës, për “masa të pamjaftueshme organizimi” të ndeshjes së luajtur kundër Tottenham, më 11 dhjetor 2018, që korespondon me fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Siç mësohet, procedura disiplinore kundër klubit katalanas ka nisur pas një ankese të bërë nga Tottenham, në përputhje me nenin 55 të Rregullores Disiplinore. Çështja do të diskutohet nga Departamenti i Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, në mbledhjen e 29 marsit.

Po ashtu, referuar Champions-it, qeveria europiane e futbollit njoftoi hapjen e një procedure disiplinore ndaj mbrojtësit të Real Madridit, Sergio Ramos, për marrjen e një kartoni të verdhë me qëllim. Ky rast u regjistrua në ndeshjen e “Los Blancos” kundër Ajax-it në Amsterdam. 

Pas ndeshjes në “Johan Cruyff Arena”, Ramos ka pranuar për mediat se e kishte marrë me dashje kartonin e verdhë për të përmbushur numrin e tyre, që vlejnë pezullimin e tij në kthimin ndaj Ajax, duke i zeruar ato për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve e në vazhdim. 

Çështja, siç është bërë me dije, do të adresohet nga Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, të enjten, më 28 shkurt.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *