Zoti është kujdesur për Artur Lekbellon, ne për pazaret e lojës!

GËZIM SINEMATI

 

Gezim SinematiNuk ka fat më ironik për një futbollist, i cili edhe kur i ka pasur muskujt të fortë dhe plot energji kishte “jetuar” në fushë më shumë me kokë sesa me këmbë, më shumë me inteligjencë sesa me forcën e muskujve. Ndaj, kur dëgjon se Artur Lekbello vuan nga një sëmundje e rrallë, tejet ironike për një ish-sportist, “pamjaftueshmëri muskujsh”, duket si një ndëshkim i pamerituar.

“Tushja”, një xhentëlmen në fushë, edhe kur zanati i mbrojtësit diktonte më shumë luftë, dukej sikur në jetën përtej fushës vetëm me shëndetin nuk kishte arsye për të luajtur ndeshjen fatale…

Një ndeshje që Lekbello e ka përballuar i vetëm deri tani, saqë flitej nën zë për një sëmundje misterioze, për të  cilën kishim frikë të besonim, edhe sepse ndiheshim fajtorë me të.

Në këto momente, edhe ata që nuk kanë fuqi ekonomike për ta ndihmuar, të paktën duhet të ndihmojnë ndërgjegjen e tyre, kur pasi e thirrëm me lutje nga Greqia si “njeri të familjes”, e tradhtuam sa hap e mbyll sytë.

Në futbollin që nuk ka mirënjohje, Tushja doli i humbur, kurse tani na jepet shansi ta shndërrojmë në fitues, edhe pse me vonesë… Një djalosh që na e shton dozën e turpit, kur tregon sekretin e madh të jetës:

“Kam një sëmundje, ku maksimalja që mund të jetosh është 3 vjet, por falë Zotit unë kam arritur në vitin e pestë”. 5 vite, një turp i gjatë kohor, i cili mund të ishte edhe më shumë nëse do të vazhdonim të mbyllnim veshët për lajmet që vinin nga Greqia.

Tamam-tamam nga Selaniku, ngaqë nuk jemi të aftë të shpëtojmë jetë, sepse në këto momente “tragjike” për kampionatin, milionat harxhohen për të “vdekur” lojën, për të përbaltur njëri-tjetrin, duke e mbajtur me pahir, me paterica, një sistem që e ka të fundit vlerën njerëzore.

Se jemi të tillë, i falëm vetes tradhtinë ndaj Lekbellos herën e parë. Një tradhti e bukur në llojin tonë, e denjë për karakterin e dobët, por Zoti, ai që u kujdes 5 vite i vetëm për të, do të na dënojë nëse nuk hapim zemrën më parë se portofolin. Ky është momenti për të dëshmuar se jeta vlen më shumë se pazaret tona me top.

Nëse nuk e ndalim këtë sëmundjen e Turit “pamjaftueshmëri muskujsh”, do të dëshmonim se pacientët jemi ne, që vuajmë nga… pamjaftueshmëria morale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *