Një video e regjistruar ku Emiliano Vila kontaktohet nga një menaxher për të toleruar takimin kundër Kukësit ka nxjerrë në pah emrin e menaxherit Drini Çaushi, që është personi që ka kryer telefonatën në emër të drejtuesve të klubit verilindor. Në lidhje me këtë regjistrim, “Panorama Sport” ka kontaktuar me menaxherin Çaushi për të marrë versionin e tij rreth ngjarjes. Ai pranon të ketë biseduar në telefon me futbollistin para ndeshjes, por mohon të ketë lidhje me këtë ngjarje dhe gjithashtu insiston se është e pamundur të jetë i përfshirë në një situatë të tillë.

drini caushi

Përshëndetje, ju jeni menaxheri i Albi Allës dhe Rrumbullakut që janë lojtarë të skuadrës së Kukësit?

I kam thënë atij të shkretit, i kam thënë të gjitha.

Kemi parë një video, e cila tregon se ju keni telefonuar Emiliano Vilën e Partizanit dhe i keni ofruar para në emër të zyrtarëve të Kukësit për të toleruar ndeshjen. A është e vërtetë kjo?

Kush i ka thënë këto gjëra?

Nuk e dimë autorësinë e regjistrimit, por ne e kemi parë këtë video dhe për këtë donim të merrnim versionin tuaj…

Jo mër vlla. Nuk kam lidhje me këto gjëra. Kush i ka nxjerrë këto?!

Nuk e di, nuk e dimë kush e ka bërë regjistrimin…

Video?

Po pra video, ku flisni ju teksa keni bërë një telefonatë me Emiliano Vilën dhe i keni ofruar para në emër të drejtuesve të Kukësit për të toleruar ndeshjen me Partizanin…

 

E kush e ka nxjerrë këtë?

drini caushi menaxher

E përsëris që nuk e dimë, pasi thjesht e kemi parë videon. Ne duam të dimë versionin tuaj të ngjarjes…

Jo, jo! Nuk është e vërtetë asgjë. Më kupton? Nuk është e vërtetë asgjë dhe unë nuk e di se si të ka ardhur kjo gjë! Mund të ma dërgosh mua? Unë dua të di se kush jua ka sjellë juve këtë video për mua?

Videon nuk e kemi bërë ne, thjesht ajo qarkullon dhe ne duam të dimë vetëm versionin tuaj në lidhje me këtë fakt…

Për versionin as që diskutohet se unë do të them jo. Por, versioni është kush dhe si e kanë futur emrin tim dhe kanë futur telefonatën time? Unë nuk kam pasur asnjë lidhje dhe asgjë. Emiliano Vilën unë e kam marrë në telefon për diçka tjetër. Kjo po.

Keni folur me Emiliano Vilën para Kukësit?

Po. Me Emiliano Vilën ka qenë dy javë përpara ndeshjes. Nuk ka pasur lidhje fare me këto.

Pra, kjo telefonatë e juaja është bërë para ndeshjes?

Më dëgjo: nëse unë nis të flas për telefonatën, do të dalin gjëra të tjera që s’kanë lidhje fare, fare me ndeshjen. Unë jam menaxher dhe nuk kam lidhje fare.

Menaxheri Caushi

Ne ju telefonuam që të jemi korrekt…

Ti shumë mirë e bëre, sepse unë gjithmonë kam bashkëpunuar me ju, madje kam shkruar aty dhe si të them jam pjesëtar i gazetës. Kam vite që kam bërë shkrime që kam ndihmuar gazetën, kam dhënë informacione si për Kaçen, si për Taulant Xhakën, për të gjithë lojtarët e mi. Edhe për Rrumbullakun etj., etj. Se si do të komentohet kjo dhe se si do të nxirret kjo, mua nuk më intereson. Përderisa emri im futet në këtë valle, nuk mund ta pranoj lehtësisht këtë gjë. Se nuk e kuptoj se si ka ardhur kjo video. Çfarë është? Video ka ardhur për mua?

Po, është video ku dëgjoheni që flisni ju…

Nuk po kuptoj, video ka ardhur apo çfarë?

Po, video…

Po ku më kanë kapur mua me video? Unë kam një muaj që s’kam qenë në Tiranë?!

Unë po ju themi vetëm se në video shihet Vila dhe dëgjoheni ju që flisni në telefon, ku i keni ofruar para Vilës të tolerojë ndeshjen me Kukësin…

Jo, nuk është e vërtetë. Jo vetëm kaq, po si është bërë regjistrimi i videos kur unë nuk kam qenë prezent? Unë në Tiranë kam qenë para një muaji. Ka disa gjëra që nuk shkojnë, nuk lidhen me njëratjetrën. Si mund të telefonokam unë Emiliano Vilën dhe kaq haptas e kam bo unë në favor të Kukësit. As Safeti, asnjeri nuk ka lidhje në këtë mes. Më vjen inat që dalin këto gjëra.

Donim vetëm një version tuajin, si reagim në lidhje me këtë ngjarje…

Reagimin tim e ke. Si do ta vendosësh pa marrë aprovimin tim? Dua të dëgjoj videon ose ta shoh.

JETON STAMOLLA