Klane rajonale dhe skandale, si degradoi situata e FSHF-së me gjyqtarët

Gafa dhe akuza pa fund për gjyqtarët, por askush nuk mban përgjegjësi. Kampionati shqiptar është futur në një krizë arbitrimi, ku javë pas jave gabimet shtohen dhe në institucionin e futbollit nuk dinë si të reagojnë. Deklarata kërcënuese e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duket shumë e vogël në momentin kur një e rënë e bilbilit mund të vendosë sezonin. Masat e marra me pezullime 2-3-javore për gjyqtarët nuk kanë dhënë efekt, ndërsa tani kur kupa është mbushur po mendohet për përjashtime.

Gjyqtaret seminar

Por, situata ka dalë jashtë kontrollit sa i përket sektorit të arbitrimit. Njerëzit që janë vendosur nga presidenti i FSHF-së në krye të arbitrave nuk kanë ditur të menaxhojnë kampionatin. Prej vitesh janë të njëjtit emra, duke filluar nga Tahir Kastrati, i cili nga 2002 është president i Shoqatës së Arbitrave.

Por, si kanë rrjedhur ngjarjet dhe si ka degraduar sektori i gjykimit, pse kolegjiumi dhe qytetet më kryesore të vendit janë shpërfillur? Pse rrethi i arbitrave është ngushtuar vetëm në 4-5 qytete dhe nuk promovohen emra të rinj? Pse ka humbur besimi tek arbitrat që kanë pak vite që kanë nisur të gjykojnë dhe pse testet fizike janë kthyer në qesharake?

Këto pyetje-akuza rëndojnë mbi ata që kanë kohë që mbajnë role drejtuese në sektorin e gjykimit. Presidenti Duka ua ka besuar emrave si Petrit Brahja, Prek Pjetrushi dhe Arjan Mali caktimin e arbitrave të çdo kategorie. Dy të fundit shquhen më së shumti se kanë lobuar fort për të afirmuar arbitra nga Lezha dhe Patosi.

18109408_1305763696127495_764582293_n

DOMINIMI TEK ARBITRAT

Nëse shikon ndeshjet e Kategorisë Superiore, dukshëm bie në sy që qytete si Shkodra, Vlora, Korça, Gjirokastra, Berati etj., thuajse janë fshirë nga harta e arbitrimit. Në gjithë këto vite drejtues në sektorin e gjykimit, duke filluar nga Tahir Kastrati, për të vazhduar me Plarent Kotheren, Prek Pjetrushin dhe Arjan Malin, janë kujdesur më shumë për të përqendruar punën në prefekturat e Fierit, Elbasanit dhe Lezhës. Ky trekëndësh dominon sot Superioren.

Por çfarë ndodh? “Shumë arbitra të rinj me perspektivë janë tërhequr nga gjykimi, pasi kanë parë që të mos u vinte radha për në Superiore, sepse arbitrat e preferuar të drejtuesve të sektorit të gjykimit ishin të pazëvendë- sueshëm”, tregon për “Panorama Sport” një zyrtar i lartë i FSHF-së që kërkon të ruajë anonimatin. Të besuarit e Dukës janë përpjekur të bindin këtë të fundit se kjo është kasta arbitrare dhe nuk mund të kërkohet më shumë, në një kohë që po shkojnë drejt shkrirjes kolegjiumet e Shkodrës, Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës.

Gjyqtaret

Strategjia që po ndjek FSHF ka bërë që edhe ata arbitra që kanë dëshirë të jenë në nivele të larta, të tërhiqen para kohe, duke parë se në fund vendosin klanet dhe jo merita. “Shikoni gjendjen ekonomike të arbitrave të Superiores. Edhe pse marrin nga 450 mijë lekë të vjetër për ndeshje, janë të gjithë të punësuar diku. Ndërsa ata që e kanë parë arbitrimin si punë janë të destinuar të dështojnë në këtë lidhje merimangash. Shumica e gjyqtarëve elitarë nuk e kanë problem nëse i largojnë, sepse janë në moshë relativisht të madhe. Por nuk janë ata fajtorë, është sistemi”, rrëfen për gazetën i njëjti burim.

NORMAT QESHARAKE

FSHF trumbeton me të madhe se në çdo fillim sezoni dhe në mes të tij kryen testet fizike të arbitrave. Mirë- po, asnjëherë ato nuk janë marrë parasysh. Gazeta më- son se ka pasur edhe raste qesharake kur dy ose tre arbitra të njohur nuk i kanë kaluar testet fizike dhe menjëherë kanë nisur të gjykojnë.

“Turpi më i madh ka qenë, kur sapo janë larguar lektorët e huaj nga seminaret e zhvilluara këtë periudhë në Durrës apo Elbasan, janë kryer sërish teste dhe gjithçka ka kaluar sikur nuk ka ndodhur gjë. Situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi ata që drejtojnë sot gjyqtarët janë në gjendje të bindin për çdo gjë presidentin, i cili pranoi se shpesh ka bërë avokatin e tyre”, përfundon rrëfimin zyrtari i FSHF-së, për të cilin me siguri në institucionin e futbollit do të nisin kërkimet, duke gjetur se kush “spiunoi” për gjyqtarët.

duka shulku kastrati

EMRAT QË VENDOSIN

TAHIR KASTRATI

Është një nga njerëzit më të besuar të Dukës. Prej 15 vitesh është president i Shoqatës së Arbitrave dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Deri në fundin e sezonit të kaluar ka qenë edhe Kryetar i Komisionit të Caktimit të Arbitrave, por hoqi dorë prej presionit të madh që kishte nga presidentët e klubeve.

tahir kastrati

Ndikimi i tij ka qenë i madh në afirmimin e arbitrave të zonës së Fierit, Patosit dhe Lushnjës. Gjyqtarë kryesorë si Emirjon Sino, Kreshnik Cjapi dhe Laver Alla janë prurje të tij, pa përjashtuar ndikimin tek anësori i kolegjiumit të Fierit, Ilir Tartari, që ka marrë stemën e FIFA-s. Fakti që sektori i gjykimit nuk është në një ditë të mirë, natyrisht një përgjegjësi të madhe ka pa dyshim edhe vetë Tahir Kastrati.

PLARENT KOTHERJA

Punon prej vitesh në sektorin e gjykimit në FSHF dhe pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë të fundit, Kotherja gjithnjë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ish-shefi i gjyqtarëve është munduar të bëjë disa ndryshime në kohën kur drejtonte këtë sektor, por gjithsesi edhe ai nuk ka arritur dot të përmirësojë situatën në vitet kur ka pasur në dorë për ta bërë diçka të tillë.

plarent kotherja

Edhe Kotherja është i besuari i Dukës në sektorin e gjykimit, në një kohë që njihet si mbështetësi i madh i arbitrave të kolegjiumit të Elbasanit. Ndërkombëtari Enea Jorgji është një prej zbulimeve të tij, teksa u afirmua shpejt falë mbështetjes që pati nga Kotherja. Sot Jorgji ka arritur atë që ka dëshiruar, duke marrë stemën e FIFA-s.

PREK PJETRUSHI

Ish-gjyqtari i njohur lezhjan ka një ndikim jo të vogël tek arbitrat, teksa mbetet një nga të besuarit e Dukës. Njihet për lobingun që ka bërë ndër vite për gjyqtarët e kolegjiumit të Lezhës, që historikisht janë preferuar më së shumti. E keni vënë re që gjithnjë ka një kryesor ose asistent nga Lezha në Superiore dhe nuk preferohet kolegjiumi i Shkodrës?! Kjo është pa dyshim një meritë e Pjetrushit.

prek pjetrushi

Por, për punën që ka bërë ndër vite, institucioni i futbollit i ka dhënë lezhjanit edhe një detyrë shumë të rëndësishme. Është prej muajsh anëtar i Komisionit të Caktimit të Arbitrave të Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Ndër vite ka qenë në detyra të rëndësishme në sektorin e “bluzave të zeza” në Federatë.

ARJAN MALI

Ish-anësori që u dekorua nga presidenti Armand Duka pak muaj pasi kishte bërë një gafë, duke vulosur rënien e Partizanit nga Kategoria Superiore, është një nga njerëzit me ndikim në sektorin e gjykimit. Fakti që ai ka mbajtur në vitet e fundit detyra të rëndësishme, ka bërë që edhe numri i gjyqtarëve nga Patosi që afirmohen në Superiore të rritet çdo sezon.

arjan mali

Mali ka luftuar fort për t’u dhënë mundësinë gjyqtarëve nga zona e tij dhe “gjetja” e fundit ishte Olsid Ferataj, i cili debutoi në Kategorinë Superiore. Lobimi që ka bërë për arbitrat e zonës së tij dhe miqësia me Tahir Kastratin kanë thjeshtësuar ngjitjen e shpejtë të gjyqtarëve të preferuar nga Mali në Superiore. Aktualisht është anëtar i Komisionit të Caktimit të Arbitrave në FSHF.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *