“Këtu vendos unë!” Zbardhen prapaskenat e debatit Taku-Josa

Si të mos mjaftonin 1000 problemet që ka Tirana, dje janë bërë 1001. Ndoshta, ky i fundit më i rëndësishëm se ata të parët. Nisur nga kontributi që ka dhënë në këtë sezon, për golat e shënuar, ndeshjet e bukura dhe pikët që u ka dhënë bardhebluve. Afrim Taku ka braktisur stërvitjen e djeshme pas një debati që pati në dhomat e zhveshjes me trajnerin Mirel Josa.

SITUATA

“Këtu jam unë! Po deshe ik!”, u dëgjua Josa në dhomat e zhveshjes në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”. Rreth dy minuta më vonë, në 14:42 vetë trajneri Josa ishte i pari që doli në fushën stërvitore, i ndjekur edhe nga lojtarët bardheblu. Të gjithë dolën nxitimthi për të dëgjuar këshillat e trajnerit, përpara nisjes së seancës stërvitore.

Mes shumë mungesave, binte në sy mungesa e njërit prej futbollistëve më rezultativë të bardhebluve, Afrim Takut. Ndonëse jo në rolin e sulmuesit, Taku ka nderuar kryeqytetasit me gola vendimtarë dhe me një formë për t’u pasur zili.

PRAPASKENA

Gjithçka ka nisur nga ndeshja me Skënderbeun. Zëvendësimi i mesfushorit bardheblu, ndonëse në minutën e fundit të ndeshjes, nuk është pritur mirë nga futbollisti. Dje, në ambientet e brendshme të dhomave të zhveshjes, futbollisti ka diskutuar me trajnerin Josa për gjëra që sipas tij janë dukur të padrejta.

Ndërkohë që lojtarët janë vënë në dispozicionin e ndihmëstrajnerit Gvozdenoviç, vetë mesfushori është parë që të linte kompleksin stërvitor. Taku ka qëndruar për disa minuta në ambientet e parkingut, ku edhe është parë që të kryejë disa telefonata.

Në harkun kohor të disa minutave, drejtori Devi Muka afrohet pranë fushës ku edhe është takuar me trajnerin Josa, ndërkohë që futbollistët e tjerë ishin duke vijuar me ushtrimet stërvitore. Në të njëjtin moment, edhe vetë mesfushori edhe drejtori i bardhebluve kanë qenë duke kryer një telefonatë dhe gjasat janë që biseda të ketë qenë mes tyre. Kjo, pasi në përfundim të kësaj telefonate, vetë lojtari është larguar nga qendra stërvitore.

MESFUSHORI

Taku ka qenë një nga lojtarët më në formë të bardhebluve gjatë këtij sezoni. Jo vetëm tetë gola të realizuar në kampionat dhe tre në kupë, por edhe forma e tij në fushën e lojës dhe vënia në dispozicion të skuadrës janë tregues të qartë të rëndësisë që ka ky futbollist në skuadrën 24 herë kampione.

Për të mirën e skuadrës, trajnerit dhe realizimit të objektivave të mbetur të bardhebluve, do të duhej që mesfushori të mbetej pjesë e formacionit titullar të skuadrës kryeqytetase, për cilësitë që ka shprehur dhe për vetë rëndësinë që ai ka fituar në këtë ekip. Pa harruar për asnjë moment lidhjen që kanë tifozët me këtë futbollist.

TAKIM ME PRESIDENTIN, PRITET VENDIM

Pas debatit të djeshëm me tone të ashpra me trajnerin Josa, Taku ka biseduar me drejtorin Muka, por duket se nuk ka marrë përgjigje dhe zgjidhje për situatën e krijuar. Mesfushori pritet të ketë një takim gjatë ditës së sotme me presidentin Refik Halili, me të cilin do të vendosë se çfarë hapash do të ndiqen në vazhdim. Gjithashtu, vetë klubi pritet të marrë një masë dhe të reagojë në lidhje me situatën e krijuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *