Që kampionët si Bert Borova të kujtohen para… ikjes!

    GËZIM SINEMATI

Edhe pse ka vite që volejbolli i madh ka “vdekur”, ka personazhe që mbeten të gjallë, sidomos kur flitet për një brez kampionësh, sjellja me të cilët vuan nga mungesa e moralit. Në të gjallë, kur i kemi midis nesh, janë pothuajse të harruar, ndërsa kur shuhen, kur nuk jetojnë më, i zbukurojmë aq shumë, sa duket sikur ka një rregull të pashkruar, ku të gjallët do të marrin lavdinë e merituar… vetëm kur të mbyllin sytë.

Këto ditë është ndarë nga jeta një volejbollist, një personazh i brezit më pjellor të volejbollit të viteve ’70- ’80, Bert Borova, tepër i dashur, sidomos për tifozët e Partizanit. Disa e kujtojnë si një kapiten me autoritet, të tjerë thonë se sallakja e Borovës ishte “goditja e nokautit” për kundërshtarin, por nuk ka dyshim se ishte një vlerë që shkonte përtej sportit.

Këtë e dëshmon edhe një kampion i madh si Shaban Uka, një nga të harruarit e spikatur, të një sporti që në kohën e diktaturës ishte kurora e lavdisë, ndërsa në kohën e demokracisë e shndërruam në një kufomë që lufton me jetën. Dëgjoni fjalët e Shabanit, në homazh të mikut të tij, Bert Borova:

“Për Bertin do të doja të flitej shumë kur ishte gjallë, sepse do të ishim më pranë të vërtetës. Tani që ai nuk jeton më, siç ndodh zakonisht në të tilla raste, duam të kompensojmë harresën e madhe me fjalët e bukura”. Fjalët e Ukës kanë peshë, sidomos në një sport që është shurdhuar, aq sa mund të kujtojmë edhe gjuajtjet e tij të bujshme, që prishnin parketin, ndërsa sot… letargjinë.

Pale kur flitet për një sport, ku mburren me të kaluarën dhe nuk shikojnë dritë për të ardhmen. Shaba, një nga ikonat e volejbollit, nga ata që zhurma e goditjes së tij kumbon akoma në vesh, sulmon edhe sot në moshën 61 vjeç, që karrierat të respektohen… pa mbyllur sytë.

Përse duhet të presim që të shuhen sportistët për të treguar se cilët ishin? Atë ditë kur zoti Rama nderoi veprën e të mëdhenjve Asllan Rusi dhe Dash Fagu, i kam thënë kryeministrit këto fjalë: “Ishte gjë e bukur dhe shumë mbresëlënëse që kujtuat Llonin dhe Dashin, por duhet të bëjmë diçka edhe për të gjallët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *