Të grumbulluarit nga Seria A, kuqezinjtë pas italianëve

Shqipëria ka numrin e dytë më të madh të futbollistëve nga Seria A që janë grumbulluar me ekipet kombëtare për dy ndeshjet e radhës. Kështu rezulton nga një analizë të publikuar sot në të përditshmen prestigjoze italiane “Gazzetta dello Sport”.

 

Sipas artikullit, janë gjithsej 130 lojtarë nga elita e futbollit italian që kanë marrë ftesa nga përfaqësueset përkatëse, 25 prej të cilëve nga ajo vendase. Vendin e dytë e mban Shqipëria me shtatë të tillë.

Arlind Ajeti (Torino), Etrit Berisha (Atalanta), Ledian Memushaj, Rei Manaj (Peskara), Thomas Strakosha (Lacio), Elseid Hysaj (Napoli) dhe Frederik Veseli (Empoli) janë legjionarët e Serisë A që janë thirrur nga De Biazi për takimin e të shtunës me Izraelin.

Jashtë vëmendjes së gazetës janë lënë Berat Gjimshiti i Empolit, Migjen Basha i Barit dhe Edgar Cani i Pizës, të cilët aktivizohen në Serinë B.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *