Berisha: Vendi i tretë është dështim, shpresojmë mos të bjerë shi

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp në kuadër të takimit të radhës për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018” kundër Izraelit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha bëri me dije se vendi i tretë do të ishtë dështim për kuqezinjtë, teksa synimi është padiskutim vendi i dytë.

 

Sa e njihni ekipin kundërshtar dhe ku i ka pikat më të forta sulmi i tyre?

Mendoj që ekipi i tyre forcën më të madhe ka sulmin dhe jemi duke u përgatituar jashtëzakonisht shumë. Si sot edhe dje kemi filluar të shohim videot e tyre. Do të mundohemi që me mbrojtjen tonë jashtëzakonisht të mirë dhe të konsoliduar t’u bëjmë ballë sulmeve të tyre. Për ne është shumë e rëndësishme që të hyjmë në fushë dhe të japim maksimumin për të fituar lojën.

A mendoni se duhet të guxohet më shumë se ndaj Spanjës në këtë ndeshje duke qënë se luajmë ndaj një kundërshtari direkt dhe është tejet deçizive për ekipin tonë?

Ndeshja me Spanjën dhe ajo me Izraelin janë të ndryshme nga ana e cilësisë të skuadrave. Për ne synimi kryesor është të marrim 3 pikë sepse është kundërshtari jonë direkt dhe do të mundohemi të sulmojmë për të krijojmë sa më shumë shanse. Me Spanjën e kishim më të vështirë për shkak të kualitetit të tyre shumë të madh në çdo repart. Për ne kjo është ndeshja më deçizive sepse luajmë me një kundërshtar të fortë dhe nëqoftëse duam të sigurojmë vendin e dytë, atëherë duhet të fitojmë këtë ndeshje.

A duam ta sigurojmë vendin e dytë?

Ajo është mundësia më reale, pastaj nëse kemi mundësi për më shumë pse jo, por pikësynimi ynë është të sigurojmë vendin e dytë dhe pastaj të shikojmë mundësi të tjera.

Mos i referohesh vendit të tretë? Sepse dy vendet e para janë Spanja dhe Italia…

Jo aspak. Vendi i tretë për ne është dështim, nuk është ndonjë sukses i madh, sepse në këtë fazë ose kualifikohesh ose jo. Përderisa zhvilluam lojërave mjaft të mira në kualifikueset e Europianit dhe në Europian, pse mos ta bëjmë dhe tani.

Megjithatë Shqipëria e ka shumë të vështirë të fitojë ndeshje me kundërshtarë të mirë të mëdhënj. Çfarë duhet bërë ndryshe në këtë takim?

Ne i kemi fituar ato ndeshje ku kemi pasur mundësi. Në futboll edhe ekipet më të mira mund të humbin ndaj atyre që janë më të dobta në letër. Çdo lojë për ne është jashtëzakonisht e fortë dhe e rëndësishme sepse nuk kemi shumë individë që e bëjnë diferencën. Por ne kemi grupin atë që na bën të fitojmë ndeshje, ndaj edhe këtë radhë ashtu do të jetë. E kam thënë dhe më parë që lojtarët tanë janë në formë në klubet e tyre ndaj shpresoj të dalim fitues.

Jeni duke kaluar një formë mjaft të mirë aktualisht. A jeni penduar që u larguat nga Lacio?

Jo aspak. Atalanta është një klub shumë i organizuar dhe jemi duke bërë mirë. Më është dhënë mundësia dhe po mundohem të tregoj vlerat e mia.

Më mirë në Elbasan apo në Shkodër?

Shpresoj që mos bjerë shumë shi, kjo është më e rëndësishmja.

Pas ndryshimit të stadiumit, a janë rritur masat e sigurosë në ekipin kombëtar?

Ne gjithnjë jemi ndjerë mirë dhe qetë. Nuk kemi pasur kurrë probleme me këtë çështje./Panoramasport

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *